Fshati Dobërçan po përjeton një periudhë intensive të investimeve kapitale që po ndryshojnë pamjen e kësaj zone në Anamoravë.
Menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit për ndërtimin e stadiumit modern me bar sintetik, është bërë i ditur edhe një tjetër projekt madhor: publikimi i vendimit për dhënien e kontratës për asfaltimin e rrugës Bukovik – Dobërçan – Gjilan.
Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Financave në Gjilan, Avdyl Kastrati, i cili duke qenë edhe vetë banor i këtij fshati, u shpreh se Dobërçani po rikthehet fuqishëm në hartën e investimeve dhe zhvillimit lokal.
Kastrati ka shprehur një falënderim të veçantë për Qeverinë e Republikës së Kosovës, me në krye Kryeministrin Albin Kurti, si dhe për Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj këtyre projekteve infrastrukturore që përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve.
Sipas tij, investimet e njëpasnjëshme në sport dhe në infrastrukturën rrugore janë dëshmi e vullnetit dhe përkushtimit institucional, ndërsa ka paralajmëruar se projekte të tjera të rëndësishme janë tashmë në horizont për këtë pjesë të komunës së Gjilanit.
