Një sezon i jashtëzakonshëm dhe historik ka mbyllur hendbollisti nga Zhegra e Gjilanit, Alban Haziri, i cili me ekipin e tij, KH Kastrioti nga Ferizaj, ka arritur të rrëmbejë dy trofetë më të rëndësishëm të hendbollit kosovar, titullin e Kampionit të Kosovës dhe Kupën e Kosovës.
Përmes një mesazhi plot emocion në llogarinë e tij, numri 5 i Kastriotit ka shprehur krenarinë për këtë rikthim të madh të klubit ferizajas në majat e hendbollit pas plot 15 vitesh pritje, duke shënuar gola vendimtarë në ndeshjet finale.
Haziri ka theksuar se me shumë punë, sakrificë, djersë dhe besim, arritën aty ku e kishim ëndërruar. Ai ka shpjeguar se ky rrugëtim i ka mësuar se asgjë nuk vjen pa përkushtim dhe se çdo stërvitje e sfidë ia ka vlejtur për këtë moment, duke shprehur një falënderim të veçantë për kryesinë, trajnerin, bashkëlojtarët dhe familjen.
Këtë triumf të madh, Albani ia ka dedikuar me plot emocion djalit të tij, Fronit, duke u uruar që një ditë ai të jetë krenar për rrugën që babai i tij ka ndjekur dhe për faktin se kurrë nuk është dorëzuar para ëndrrave të veta.
Nga thyerja e rekordeve me 406 gola deri në Zvicër e Rahovec
Rrugëtimi i artë i zhegranit drejt këtij suksesi të madh ka nisur herët, pikërisht në klubin e vendlindjes, KH Zhegra.
Hapat e parë i mori në këtë ekip të Karadakut, ku për dy vite rresht u shpall golashënuesi më i mirë në Kosovë, duke thyer një rekord të jashtëzakonshëm mediatik me plot 406 gola të shënuar.
Këto paraqitje bombastike në Zhegër i hapën rrugë drejt hendbollit evropian, ku mori ftesë dhe kaloi një vit mjaft të suksesshëm te skuadra zvicerane Chenois Geneve në Ligën e Parë, duke fituar një përvojë të shkëlqyer ndërkombëtare.
Pas periudhës në Zvicër, ai u rikthye në Kosovë për t’u bërë pjesë e KH Rahovecit, ku qëndroi për 5 vite të arta, periudhë gjatë së cilës kjo skuadër u shpall dy herë kampion i Kosovës si dhe fitoi Superkupën.
“Truri” i skuadrës me mentalitet fituesi që shkroi historinë në Ferizaj
Pas këtij kapitulli të gjatë e të suksesshëm në Rahovec, Haziri vendosi të transferohet në Ferizaj te skuadra e Kastriotit, duke u shndërruar menjëherë në liderin që i mungonte këtij ekipi për të siguruar “Doartën” e madhe, përkatësisht Kupën dhe Titullin pas një dekade e gjysmë pritjeje.
Albani luan në pozitën më kryesore të skuadrës, atë të qendrës, ku roli i tij i parë është organizimi i lojës, pasimet dhe asistimet, krahas faktit që mbetet një shënues i lindur.
Ai posedon një shpejtësi të jashtëzakonshme që vlerësohet si një nga veçoritë e tij kryesore në fushë.
Meqenëse qendra cilësohet si truri i ekipit mbi të cilin bie barra më e madhe, Haziri dallohet veçanërisht për lojën e tij të lartë kolektive dhe një mentalitet të pastër fituesi që bëri diferencën në ndeshjet më vendimtare të këtij sezoni të artë.

