ARSIM – SPORT/ Pensionohet profesori dhe ish-futbollisti i njohur gjilanas, Rabit Matoshi

Pas një rrugëtimi të gjatë, të bujshëm dhe plot përkushtim në arsim e sport, është pensionuar mësimdhënësi i Edukimit Fizik dhe legjenda e futbollit gjilanas, Rabit Matoshi.

Ai përmbyll një kapitull të suksesshëm prej 26 vitesh shërbimi e kontributi të çmuar në Shkollën e Mesme të Ulët “Rexhep Elmazi” në Gjilan.

Profesor Rabiti do të kujtohet nga kolegët dhe brezat e nxënësve për angazhimin e tij në punë dhe përkushtimin që tregoi përgjatë këtyre dy dekadave e gjysmë në shkollë.

Përtej ditarit dhe fushës së edukimit fizik, emri i Rabit Matoshit mban një peshë të jashtëzakonshme në historinë e sportit të Anamoravës.

Ai ishte pjesë e “gjeneratës së artë” të futbollit në Gjilan, një skuadër që la gjurmë të thella duke aplikuar një futboll modern për kohën dhe duke fituar zemrat e sportdashësve.

Pas tërheqjes nga fusha e gjelbër si lojtar, ai nuk u shkëput nga pasioni i tij.

Për shumë vite me radhë, Matoshi shërbeu si trajner te FC Drita, ku përveç punës me grupmoshat e reja dhe zbulimit të talenteve të rinj, ai drejtoi me sukses edhe ekipin e parë (seniorët) dhe kohw tw gjatw ndihmës trajner.

Po ashtu, në periudhën e pasluftës, ai dha kontribut edhe në menaxhimin sportiv, duke shërbyer për një kohë si përgjegjës i Stadiumit të Qytetit në Gjilan.

“Me rastin e pensionimit, Prof. Rabit Matoshit i dëshirojmë shëndet të plotë, lumturi, mbarësi dhe shumë vite të qeta e të gëzuara pranë familjes dhe më të dashurve të tij. Gjilani i mbetet mirënjohës për kontributin e dyfishtë, në arsim dhe në sport”, thuhet në mesazhin e përcjellë nga kolegët dhe komuniteti sportiv.

 

 

Shpërndaj me të tjerët