Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shqiptuar 1,567 gjoba trafiku gjatë javës së fundit, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas raportit javor, gjatë periudhës 29 maj – 4 qershor 2026 janë hetuar 17 aksidente me dëme materiale dhe 15 aksidente me të lënduar.
Po ashtu, policia ka shqiptuar 21 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 44 për përdorim të telefonit gjatë ngasjes dhe 67 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave.
Në këtë periudhë janë shqiptuar edhe 35 masa të ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Policia e Gjilanit ka apeluar veçanërisht tek drejtuesit e trotinetëve elektrikë që të respektojnë rregullat e trafikut, të lëvizin me shpejtësi të përshtatshme, të mos transportojnë pasagjerë dhe të tregojnë kujdes ndaj pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Sipas ligjit, trotinetët elektrikë mund të drejtohen vetëm nga persona mbi moshën 16-vjeçare.
