Inspektorati Komunal ka ndërmarrë një aksion të rreptë ndaj kompanive ndërtimore, mjetet e transportit të të cilave kanë shkaktuar ndotje të rrugëve publike.
Gjatë kontrolleve në terren, inspektorët kanë shqiptuar gjoba ndaj disa kompanive, kamionët e së cilave kanë derdhur beton nëpër rrugë, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion dhe duke dëmtuar mjedisin.
Nga Drejtoria e Inspeksionit bëhet e ditur se ky lloj pakujdesie nuk do të tolerohet dhe se të gjitha kompanitë obligohen që t’i pastrojnë rrugët menjëherë nëse ndodh ndonjë incident gjatë transportit, si dhe të marrin masa që mjetet e tyre të jenë të siguruara mirë përpara se të dalin në qarkullim.
Autoritetet komunale u bëjnë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë rregullat e rendit komunal, ndërsa qytetarët inkurajohen t’i raportojnë këto raste sa herë që ndeshen me to nëpër lagjet e tyre.

