KUFJTË E ARTIT / Feston 71-vjetorin pena e njohur e letërsisë për fëmijë, Avdush Canaj, vajza e tij e uron me fjalët më prekëse

Sot feston 71-vjetorin e lindjes një prej penave më të vyera dhe më të dashura të letërsisë për fëmijë, shkrimtari Avdush Canaj, krijimtaria e të cilit ka përmasa që i kalojnë kufijtë.

Përgjatë rrugëtimit të tij të pasur letrar, Canaj ka rritur dhe edukuar breza të tërë përmes vargjeve, tregimeve dhe botimeve të tij me vlerë të lartë artistike.

Në këtë ditë të veçantë për shkrimtarin gjilanas, një urim mjaft prekës dhe me plot ndjenjë ia ka kushtuar vajza e tij, Klodiana.

Përmes një mesazhi publik, ajo ka zgjedhur fjalët më të bukura për të përshkruar figurën e babait të saj si prind dhe si artist i fjalës.

Postimi i plotë i vajzës së tij, Klodianës:

“Babi, sot ti mbush 71 vjet, një rrugëtim i bukur i mbushur me urtësi, ndjenja dhe vargje që kanë lënë gjurmë në shpirtrat tanë.

Ti na ke mësuar ta shohim botën me syrin e artistit, të gjejmë të bukurën aty ku të tjerët shohin të zakonshmen dhe t’i veshim ndjenjat me petkun e artë të fjalës. Në këtë 71-vjetor, të uroj nga zemra shëndet të plotë dhe frymëzim të pashtershëm! Penës tënde mos i iktë kurrë magjia, ndërsa shpirtit tënd mos i mungoftë kurrë paqja dhe gëzimi. Ti je poezia më e bukur që jeta na ka dhuruar. Gëzuar!”

Redaksia e portalit tonë i bashkohet urimeve për shkrimtarin Avdush Canaj, duke i dëshiruar shëndet, jetë të gjatë dhe frymëzim të pashtershëm në pasurimin e botës letrare për më të vegjlit tanë!

 

Shpërndaj me të tjerët