Ish trajneri i Dritës dhe Gjilanit emërohet trajner i ri i FK Kukësit

 

Sedat Pajaziti, ish-trajner i Dritës dhe Gjilanit, si dhe i disa klubeve tjera në Kosovë dhe Shqipëri, është emëruar zyrtarisht trajner i ri i skuadrës shqiptare FK Kukësi.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi përmes një postimi në faqen zyrtare, ku theksohet se Pajaziti do ta udhëheqë Kukësin për dy sezonet e ardhshme.

“Futboll Klub  Kukësi ka kënaqësinë të njoftojë se Sedat Pajaziti do të jetë trajneri i ri i skuadrës sonë për dy sezonet e ardhshme! Me një qasje moderne dhe përvojë të pasur, ai sjell profesionalizëm, disiplinë dhe pasion”, thuhet në njoftim.

Me prejardhje nga Tërnovci i Bujanocit, Pajaziti ka ndërtuar një karrierë të respektuar si trajner, duke punuar me klube të njohura në dy kampionatet shqiptare. Ai njihet për përkushtimin ndaj zhvillimit të lojtarëve dhe punën ekipore.

Objektivi i tij i parë është i qartë: rikthimi i Kukësit në majat e futbollit shqiptar.

Shpërndaj me të tjerët