Për ndryshimin e destinimit të projektit “Fshati i Lumtur” ka reaguar edhe Fatmir Shuedhani nga Handikos Gjilan, duke e cilësuar vendimin e miratuar në seancën e Kuvendit Komunal si të dëmshëm për personat me aftësi të kufizuara.
Sipas tij, projekti ishte konceptuar për t’u shërbyer organizatave “Liria”, Down Sindrom Kosova – Gjilan, “Pema”, Shoqatës së të Verbërve, Shoqatës së Shurdhmemecëve dhe një pjese të sektorit të mirëqenies sociale, e jo Handikosit, pasi kjo organizatë tashmë ka objektin e saj funksional.
Shuedhani theksoi se në vitin 2021 ishte formuar një komision shumësektorial për funksionalizimin e projektit, por ai u pasivizua pas ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes.
Ai shtoi se kompleksi përfshin dy konvikte, një qendër të aftësimit profesional dhe një objekt të planifikuar si qendër ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara, shërbime që, sipas tij, nuk do të realizohen më pasi projekti iu dha në menaxhim Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan.
Sipas Shuedhanit, për ridestinimin nuk është zhvilluar asnjë debat publik me organizatat joqeveritare, ndërsa nuk është bërë e ditur zyrtarisht se për çfarë do të shfrytëzohet objekti.
Ai përmendi dy versione jozyrtare: që ai të shndërrohet në një qendër rajonale të Bashkësisë Islame ose të përdoret nga shkolla e mesme e Medresesë “Alaudin”.
Ai nënvizoi se donatori, me një investim prej 2.3 milionë dollarësh, e kishte dedikuar projektin ekskluzivisht për personat me aftësi të kufizuara.
Në fund të reagimit, Shuedhani u kërkoi falje qytetarëve për gjuhën e përdorur gjatë seancës, duke thënë se situata u nxit nga përplasjet në sallë.
Ai theksoi se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duke shtuar se “sa të jem gjallë, do të avokoj me krejt qenien time për ta dhe do të jem gjithmonë zëri kumbues i tyre.”

