POLITIKË LOKALE/ Krenare Latifi-Kqiku: Presion i papranueshëm në seancën e Kuvendit në Gjilan

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi-Kqiku, ka reaguar pas seancës së sotme të tensionuar, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rënda për demokracinë dhe dinjitetin institucional në nivel lokal.

Ajo tha se ajo që ndodhi nuk ishte debat politik, por një tentativë e pastër, siç u shpreh, për frikësim, shantazh dhe bllokim të punës institucionale.

Latifi-Kqiku përmendi sjelljen e disa asamblistëve të PDK-së, duke theksuar se Riad Rashiti, ushtrues detyre i kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzadi, shef i grupit të asamblistëve dhe Burhan Isufi, janë afruar pranë tavolinës së saj të punës, duke ushtruar presion fizik dhe psikologjik të papranueshëm, sipas saj.

Ajo sqaroi se deklaratën e dhënë në seancë, ku tha se “pesë burra po më rrinë mbi kokë”, nuk e ka bërë nga frika, por për të, siç u shpreh, shpërfaqur publikisht mendësinë patriarkale dhe sjelljen arrogante që nuk i takon një institucioni demokratik.

Kryesuesja e Kuvendit theksoi se asnjë presion nuk do ta zmbrapsë nga ushtrimi i detyrës së saj kushtetuese dhe ligjore, duke shtuar se Kuvendi duhet të jetë vend i argumenteve dhe qytetarisë, e jo i forcës apo sjelljeve kërcënuese.

Në fund, ajo falënderoi qytetarët për mbështetjen pas, siç u shpreh, pamjeve të rënda të publikuara në media, duke thënë se mesazhet e tyre janë forcë për të vazhduar punën me dinjitet dhe integritet institucional.

Shpërndaj me të tjerët