Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Gjilan ka reaguar lidhur me ndryshimin e destinimit të projektit “Fshati i Lumtur”, duke i bërë thirrje publike edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan që të mos e pranojë në shfrytëzim këtë objekt.
Sipas reagimit, projekti është ndërtuar për persona me aftësi të kufizuara dhe duhet të funksionalizohet sipas këtij qëllimi fillestar.
Poatimi i plotë i PDK në Gjilan
THIRRJE PUBLIKE BASHKËSISË ISLAME TË KOSOVËS NË GJILAN: MOS E PRANONI NË SHFRYTËZIM “FSHATIN E LUMTUR”
Edhe parimet islame na mësojnë se ndihma duhet t’u jepet atyre që kanë nevojën më të madhe. E askush nuk ka më shumë nevojë për kujdes dhe mbështetje sesa personat me aftësi të kufizuara, të cilët çdo ditë përballen me sfida që shumica prej nesh nuk i përjetojnë.
Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Gjilan shpreh shqetësimin e thellë për vendimin e Kuvendit Komunal për ndryshimin e destinimit të projektit “Fshati i Lumtur”, një investim me vlerë mbi 2.5 milionë euro, i ndërtuar me qëllim të vetëm: t’u shërbejë personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.
Me këtë rast, i drejtohemi publikisht Bashkësisë Islame të Kosovës në Gjilan, me një lutje të sinqertë dhe vëllazërore: hiqni dorë nga marrja në shfrytëzim e këtij objekti.
Ne e njohim vullnetin e mirë dhe misionin fisnik të Bashkësisë Islame për t’i shërbyer qytetarëve, edukimit dhe interesit publik. Jemi të bindur se qëllimi juaj nuk është të dëmtoni askënd, por të kontribuoni në funksionalizimin e një objekti që ka mbetur për vite të tëra jashtë përdorimit.
Megjithatë, besojmë se ky projekt nuk është një objekt i zakonshëm. Ai është ndërtuar falë një donacioni të dedikuar posaçërisht për qindra persona me aftësi të kufizuara, për fëmijët dhe të rinjtë që kanë më shumë nevojë për mbështetjen e familjes, shoqërisë, institucioneve shtetërore dhe atyre fetare.
Nuk është faji i Bashkësisë Islame që qeverisja komunale për pesë vite me radhë nuk arriti ta funksionalizojë këtë projekt, edhe pse janë parashikuar fonde të konsiderueshme në buxhetin komunal ndër vite. Përgjegjësia bie mbi pushtetin komunal, i cili dështoi ta vë në funksion këtë investim, duke ua mohuar qindra qytetarëve dhe familjeve të tyre një shërbim jetik.
Pikërisht për këtë arsye, zgjidhja nuk mund të jetë ndryshimi i destinimit të një projekti të ndërtuar për një kategori kaq të ndjeshme të shoqërisë. Zgjidhja duhet të jetë funksionalizimi i tij sipas misionit për të cilin është ndërtuar.
PDK në Gjilan kërkon nga KBI Gjilan që të tërhiqet nga ky projekt dhe që pushteti komunal të hapë një dialog të mirëfilltë me organizatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara, me familjet e tyre, me donatorët dhe me të gjithë akterët institucionalë, në mënyrë që “Fshati i Lumtur” të vihet më në fund në funksion për ata për të cilët është ndërtuar.
Ne besojmë se Bashkësia Islame, si institucion me autoritet moral dhe përgjegjësi të lartë shoqërore, do ta dëgjojë këtë thirrje dhe do të jetë në anën e atyre që kanë më së shumti nevojë.
Ky nuk është një debat politik. Ky është një obligim njerëzor, moral dhe institucional ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe dinjitetit të tyre.
PDK – Dega në Gjilan

