Për eskalimin e seancës së djeshme në Kuvendin Komunal të Gjilanit ka reaguar edhe Bashkimi për Ndryshim Anamorava (BNA), parti që përfaqësohet me një asamblist dhe një drejtor dikasteri në nivel lokal.
Në reagimin e plotë, BNA thekson se seanca nuk duhet të mbahet mend për bllokada apo veprime të pamatura, por për përgjegjësi institucionale dhe funksionim normal demokratik.
Sipas kësaj partie, ngjarjet e djeshme ku u pengua zhvillimi i rregullt i punimeve përbëjnë shqetësim serioz për funksionimin e institucioneve lokale dhe standardet demokratike.
BNA vlerëson se çdo subjekt politik ka të drejtë të shprehë pakënaqësi dhe qëndrime, por kjo e drejtë nuk duhet të shkojë deri te pamundësimi i seancave apo bllokimi i vendimmarrjes.
Në reagim theksohet se qytetarët presin zgjidhje, debat të argumentuar dhe vendime në interes të komunës, e jo tensione dhe bllokada politike.
Si pjesë e qeverisjes lokale, BNA shprehet e përkushtuar për respektimin e ligjit, rregullores së Kuvendit dhe kulturës demokratike, duke bërë thirrje për dialog dhe respekt reciprok mes akterëve politikë.
Në fund, Bashkimi për Ndryshim Anamorava u bën thirrje të gjitha palëve që dallimet politike t’i adresojnë përmes debatit demokratik, në funksion të interesit të qytetarëve të Gjilanit.

