M0TI/ Fundjavë me diell, vranësira dhe reshje lokale shiu në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për fundjavën, më 11 dhe 12 korrik 2026, duke bërë të ditur se vendi do të karakterizohet nga mot i ngrohtë, me intervale me diell, por edhe me reshje lokale shiu.

Të shtunën pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Gjatë pjesës së dytë të ditës vranësirat do të dendësohen, ndërsa në disa zona parashihen riga shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 12 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 28 deri në 32 gradë.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore.

Ndërkaq, të dielën moti do të jetë kryesisht i vranët me intervale me diell. Vranësirat vende-vende do të sjellin reshje shiu, të shoqëruara edhe me shkarkime rrufesh.

Temperaturat minimale do të jenë nga 10 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të lëvizin ndërmjet 25 dhe 29 gradë. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi prej 1 deri në 11 metra në sekondë.

Qytetarëve u rekomandohet të kenë kujdes gjatë pasdites së së dielës, kur në disa rajone mund të ketë reshje të përkohshme dhe aktivitet elektrik në atmosferë.

Shpërndaj me të tjerët