KUJTIM/ Shkrimi prekës i prof. Xhafer Xhaferit për humbjen e mikut të një jete, pedagogut të njohur Nuhi Rexhepi

Ndarja nga jeta e profesorit dhe intelektualit të shquar gjilanas, Nuhi Rexhepit, ka lënë një zbrazëti të madhe jo vetëm në familjen e tij, por edhe në mesin e kolegëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë akademikë me të cilët ndau një rrugëtim mbi gjysmëshekullor në shërbim të arsimit shqip.

Në kujtim të figurës së tij fisnike, profesori i nderuar Xhafer Xhaferi ka thurur një rresht radhësh tejet prekëse e plot mall, duke risjellë në kujtesë miqësinë e tyre të palëkundur që nga vitet e shtatëdhjeta, sfidat e përbashkëta në Normalen e Gjilanit dhe në Universitetin e Prishtinës, si dhe qëndresën dinjitoze gjatë viteve të vështira të nëntëdhjeta.

Më poshtë po e përcjellim të plotë dhe pa ndryshime këtë letër lamtumire dhe kujtimi të prof. Xhaferit për mikun dhe kolegun e tij të shtrenjtë:

Në kujtim të shokut tim të jetës dhe të mikut të dashur Nuhi Rexhepi

Ndarja nga jeta e shkokut tim të jetës më ka prekur thellë dhe më ka kthyer në kujtimet e një jete të tërë të kaluar së bashku. Me Nuhën na lidhi jo vetëm vendlindja dhe fëmijëria, por edhe një miqësi e sinqertë që u forcua me kalimin e viteve. Që nga vitet e shtatëdhjeta, të shekullit të kaluar, rrugët tona njerëzore dhe profesionale u bashkuan ngushtë. Punuam së bashku në Normalen e Gjilanit, më vonë Akademinë Pedagogjike dhe në institucione të tjera arsimore, të udhëhequr nga dashuria për arsimin dhe përkushtimi ndaj arsimit dhe edukimit të brezave të rinj.

Një kapitull i veçantë i jetës sonë ishte Universiteti i Prishtinës. Nuhiu ligjëroi aty që nga viti 1972, ndërsa unë nga viti 1977. Për dekada me rradhë ndamë të njëjtat hapësira akademike, të njëjtat shqetësime profesionale, të njëjtat ideale për dije, arsim dhe edukim të brezave të rinj. Ishim kolegë, bashkëpunëtorë dhe mbi të gjitha miq, të lidhur nga respekti i ndërsjellë dhe nga vlerat që i çmuam gjatë gjithë jetës.

Së bashku përjetuam kohë të mira e gëzime familjare, por edhe sfida e vështirësi. Veçanërisht të rënda ishin vitet e nëntëdhjeta, kur rrethanat kërkonin qëndresë, durim dhe besim në të ardhmen. Në ato kohë, si gjithmonë, Nuhiu dëshmoi urtësi, dinjitet dhe përkushtim të palëkundur ndaj profesionit dhe misionit të tij si pedagog intelektual.

Vitet kaluan shpejtë. Arritëm së bashku moshën e tretë, duke ruajtur po atë aftësi, respekt dhe miqësi që na kishte shoqëruar për më shumë se gjysmë shekulli. Sot, kur Nuha nuk është më fizikisht mes nesh, e kam të vështirë ta pranoj mungesën e tij. Megjithatë, ngushëllim gjej në  kujtimet e panumërta që kemi krijuar bashkë dhe gjurmët e mira që ai la pas.

Nuhiu do të mbetet në kujtesën time, dhe jo vetëm, si njeri fisnik, mik besnik, koleg i respektuar dhe intelektual që i shërbeu me nder arsimit dhe shkencës shqiptare. Kujtimi për të do të jetojë në zemrat e familjarëve, miqve, kolegëve dhe të brezave të shumtë të studentëve që pati fatin t’i udhëheqë në rrugën e dijes.

Lamtumirë, shoku im i jetës, mik i dashur Nuhi. Faleminderit për miqësinë e një jete, për respektin, për besimin dhe për të gjitha çastet që ndamë së bashku.

Me nderim dhe mall, Xhafer Xhaferi

P.S. Kjo foto është nga një prej takimeve tona të fundit, së bashku me Fehmiun, që patëm me Nuhën. Ishte një nga rastet e rralla kur shkrepëm aparatin dhe ruajtëm këtë kujtim të përbashkët. Në takimet e tjera nuk bëmë fotografi, pasi gjendja e tij po rëndohej dhe nuk deshëm ta zëvendësonim këtë imazh të bukur që na ka mbetur në kujtesë. Qoftë i paharruar.

 

Shpërndaj me të tjerët