APEL/ Policia e Gjilanit: Festoni me zemër, jo me armë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar te qytetarët që gjatë sezonit të verës, kur organizohen një numër i madh ahengjesh dhe festash familjare, të tregojnë kujdes maksimal dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike.

Policia u bën thirrje qytetarëve të mos përdorin armë zjarri gjatë festimeve, duke theksuar se gjuajtja me armë përbën rrezik serioz për jetën e njerëzve dhe është vepër penale.

Po ashtu, kërkohet respektimi i rregullave të trafikut gjatë lëvizjes së kolonave të dasmave, pa bllokuar rrugët dhe pa u ekspozuar jashtë dritareve apo mbi çatitë e automjeteve, pasi veprime të tilla rrezikojnë jetën e pjesëmarrësve në trafik.

Policia apelon edhe për respektimin e qetësisë publike, duke u bërë thirrje qytetarëve të respektojnë kufizimet ligjore për zhurmën dhe muzikën gjatë orëve të vona të natës.

“Çdo pakujdesi apo veprim i papërgjegjshëm mund t’i shndërrojë çastet e gëzimit në tragjedi. Siguria gjatë ahengjeve është përgjegjësi e përbashkët. Festoni të sigurt dhe kontribuoni në ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e Policisë Rajonale të Gjilanit.

Shpërndaj me të tjerët