Gjatë viteve të ’90-ta, kur sporti kosovar po kalonte nëpër fazën më të vështirë të mbijetesës pas pavarësimit nga sistemi i atëhershëm serb, fshati Malishevë i Gjilanit (rreth 6-7 km larg qytetit) u shndërrua në një arenë legjendare të futbollit.
Në një kohë kur regjimi serb ia kishte ndaluar KF Dritës shfrytëzimin e stadiumit të qytetit dhe fushave ndihmëse, vullneti i njerëzve të pasionuar bëri që futbolli të mos shuhej.
Dëshmitari i gjallë dhe ideatori i kësaj historie, punëtori i palodhur sportiv Ajnur Maksuti, rrëfen me emocione rrugëtimin se si u sigurua ky lokacion që shpëtoi futbollin anamoravas.
Në kërkim të një fushe: Nga Kravarica e Pogragja në Malishevë
Maksuti tregon se fillimisht bashkë me Skender Hoxhën (atëkohë refer i lartë i futbollit kosovar) kishin vizituar fshatin Kravaricë për të parë një hapësirë, por largësia dhe pozita gjeografike ishin pengesë.
Më pas, bashkë me ish-portierin nga Pogragja, Avdullah Sherifin, shikuan një fushë tjetër në Pogragjë, por sërish largësia ishte problem.
Gjatë lëvizjeve në terren, Ajnurit i kishte rënë në sy një livadh i madh në fshatin Malishevë, skaj rrugës për në Pogragjë e Uglar.
Livadhi i plotësonte të gjitha kriteret. Ai takoi menjëherë kryetarin e fshatit Naip Rexhepin për të kërkuar pronarin. Për habinë dhe gëzimin e tij të madh, pronari, emri i të cilit u mbajt i fshehtë për arsye sigurie, pranoi t’ua lironte pronën pa asnjë lloj kompensimi financiar.
Para se të sigurohej fusha e futbollit në livadhet e Malishevës, Drita kishte luajtur ndeshje edhe në fushat e fshatrave përreth si në Dobërçan, Përlepnicë dhe Verbicë e Kmetovcit.
Operacioni i fshehtë i natës: Vendosja e shtyllave dhe frika nga policia
Pasi u sigurua leja, sfida e radhës ishte rregullimi i shpejtë i fushës pa rënë në sy të regjimit. Maksuti mblodhi një grup shokësh besnikë dhe nën dritën e natës ia mësyn Malishevës:
“Nuk kam fjetur tërë natën nga meraku se kur të shkonim në mëngjes do t’i gjenim shtyllat e prera e fushën e prishur,” kujton Maksuti.
Në atë aksion të parë të natës morën pjesë: Musa Huruglica, Mustafë Osmani, Kemajl Sherifi, Naser Ibrahimi (i ndjerë),Ismet Bajrami (i ndjerë) Daut Shahini(i ndjerë), dhe Ruzhdi Salihu, për të cilët Maksuti ka një falënderim të veçantë, si dhe për shumë miq të tjerë që ndihmuan më pas.
Ata vendosën shtyllat dhe vizatuan vijat e fushës me byk. Fatmirësisht, të nesërmen ndeshja u zhvillua pa ndonjë ndërhyrje nga policia serbofone.
Mbi 10 mijë shikues në livadhin e lirisë
Kjo fushë e improvizuar u bë shtëpia e Dritës dhe e futbollit gjilanas nga vjeshta e vitit 1991 deri në vitin 1999. E më pas nga viti 1995 edhe KF Gjilani shfrytëzoi këtë fushë.
Përkundër që policia serbe ndërhynte shpesh, madje në vitin 1992 ua kishin prerë edhe shtyllat e golave, aktiviteti nuk u ndal.
Livadhi në Malishevë filloi të grumbullonte masa të mëdha njerëzish, duke arritur shpesh shifrën e mbi 10 mijë shikuesve, në një kohë kur futbolli ishte më shumë se sport, ishte rezistencë dhe frymë lirie.
