ARSIM/Zgjidhet Kryesia e re e Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit

 Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit ka njoftuar anëtarësinë dhe opinionin publik se, në mbledhjen online të mbajtur më 27 gusht 2026, me shumicën e votave të pjesëmarrësve është marrë vendim për shkarkimin e Kryesisë së deritanishme dhe emërimin e përbërjes së re drejtuese.

​Ky riorganizim është ndërmarrë me qëllim të delegimit më të qartë të përgjegjësive, ndarjes së detyrave dhe krijimit të një strukture më funksionale për realizimin e aktiviteteve dhe objektivave të Shoqatës.

​Kryesia e re përbëhet nga 10 anëtarë: Agim Maliqi, Agon Mahmuti, Armend Limoni, Blerta Ismaili, Elda Sahiti, Flamur Shala, Florent Jerliu, Merita Emini, Natyra Robelli dhe Sami Shurdhani.

​Në kuadër të këtij riorganizimi, përgjegjësitë janë ndarë sipas fushave specifike.

Grupi i përbërë nga Natyra Robelli, Sami Shurdhani, Florent Jerliu dhe Blerta Ismaili do të jetë përgjegjës për planifikimin, koordinimin dhe realizimin e garave të matematikës, si dhe për komunikimin me shkollat.

Ndërkaq, Flamur Shala, Elda Sahiti, Merita Emini dhe Armend Limoni do të angazhohen në hartimin e planeve, projekteve dhe zhvillimin institucional të Shoqatës.

​Përfaqësimi dhe koordinimi i aktiviteteve në Komunën e Kamenicës i është besuar Agon Mahmutit, i cili është emëruar Kryetar i Degës atje, me mbështetjen e anëtarit Agim Maliqi, për të thelluar bashkëpunimin me institucionet arsimore lokale.

​Me strukturën e re, Shoqata synon rritjen e efikasitetit dhe cilësisë në organizimin e aktiviteteve.

Me këtë rast, është shprehur mirënjohje për punën e kryesisë së kaluar, ndërsa të resë i janë uruar suksese në mbështetjen e talenteve dhe zhvillimin e matematikës në rajon.

Shpërndaj me të tjerët