SPORT/Sulmuesja gjilanase nga Bayer Leverkusen, Alisa Sinani ftohet për sfidat kundër Austrisë

Përzgjedhësja e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e femrave, Sanije Krasniqi, ka publikuar listën e futbollisteve të ftuara për dy ndeshjet e “play-off”-it të kualifikimeve për Kupën e Botës kundër Austrisë.

​Vëmendjen kryesore në këtë grumbullim e merr ftesa për sulmuesen gjilanase, Alisa Sinani. 21-vjeçarja që aktivizohet te skuadra gjermane Bayer Leverkusen (U23) po kalon një formë të shkëlqyer këtë sezon, duke u kthyer në një nga pikat më të forta të repartit ofensiv.

​Sinani, e cila ishte ftuar edhe më parë te Kosova nga ish-përzgjedhësi Sami Sermaxhaj, u shpreh e lumtur dhe e emocionuar për ftesën, duke theksuar se është nder i madh të mbrojë ngjyrat e vendlindjes së prindërve të saj.

​Ndeshja e parë mes Kosovës dhe Austrisë do të zhvillohet më 9 tetor nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa sfidat e kthimit Dardanet do ta luajnë më 13 tetor po në orën 18:00 në “Sportclub-Platz Dornbach” në Vjenë.

​Me formën e saj të lartë te Bayer Leverkusen, sulmuesja nga Gjilani pritet të jetë një armë plus për sulmin e Kombëtares sonë në këtë përballje të dyfishtë përcaktuese. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët