ARSIM/Fakulteti i Shkencave Kompjuterike mbajti takim informues me studentët e vitit të parë

Gjilan, 6  tetor 2026 – Fakulteti i Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka” ka organizuar një takim orientues me studentët e vitit të parë, me qëllim që t’u ofrojë mbështetjen dhe informacionet e nevojshme për një start sa më të mbarë të rrugëtimit të tyre akademik.

​Gjatë këtij takimi, Dekanja e Fakultetit, znj. Afërdita Ibrahimi, i njoftoi studentët me strukturën e studimeve, organizimin e ligjëratave dhe ushtrimeve, obligimet akademike, vijueshmërinë, procesin e paraqitjes së provimeve, si dhe çështje të tjera me rëndësi për ecurinë e tyre studimore.

​Në fokus të veçantë ishte komunikimi institucional dhe përdorimi i platformave universitare,  përfshirë emailin zyrtar, sistemin për menaxhimin e studentëve dhe qasjen në materialet mësimore e njoftimet akademike.

Studentët u udhëzuan po ashtu mbi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm, punës praktike, realizimit të projekteve dhe respektimit të afateve.

​Përveç ecurisë mësimore, u prezantuan edhe mundësitë që ofron Fakulteti, si përfshirja në projekte, trajnime, gara, mobilitet akademik dhe bashkëpunime me industrinë e teknologjisë.

​Takimi u përmbyll me një bashkëbisedim të hapur ku studentët parashtruan pyetje dhe morën sqarime për të gjitha çështjet me interes.

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike konfirmoi përkushtimin për krijimin e një mjedisi mbështetës, bashkëpunues dhe cilësor për të gjithë studentët.

​Njoftohen studentët se për oraret e ligjëratave, konsultimeve, provimeve dhe informata të tjera administrative mund të vizitojnë faqen zyrtare të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UKZ. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët