Gjilan, 9 nëntor 2026– Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, organizata KOPF, në bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi të Komunës së Gjilanit dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), organizon aktivitetin vetëdijësues Karvani Shëndetësor “PërSHËNDETje”.
Ky aktivitet ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi parandalimin e diabetit dhe promovimin e një stili të shëndetshëm jetese në komunitet.
Ngjarja do të zhvillohet të mërkurën, më 11 nëntor 2026, nga ora 11:00 deri në 14:00, në Sheshin “Rexhep Mala” në Gjilan.
Në rast reshjesh shiut, organizatorët kanë bërë të ditur se aktiviteti do të zhvendoset në sallën e SHFMU “Thimi Mitko”.
Gjatë këtij aksioni shëndetësor, të gjithë qytetarët e interesuar do të kenë mundësi të kryejnë shërbime mjekësore falas, si matjen e nivelit të sheqerit në gjak (glukozës), matjen e tensionit të gjakut, si dhe matjen e peshës e gjatësisë trupore bashkë me llogaritjen e indeksit të masës trupore (BMI).
Po ashtu, mjekët dhe ekspertët e pranishëm do të ofrojnë këshillim profesional për parandalimin e menaxhimin e diabetit, si dhe do të ndajnë informacione me rëndësi mbi ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik dhe kontrollin e faktorëve të rrezikut.
Organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen këtij karvani për t’u kontrolluar dhe për t’u informuar nga afër rreth ruajtjes së shëndetit të tyre./dita24h/
