SHËNDETËSI/Karvani “PërSHËNDETje” ofron shërbime falas në Gjilan për Ditën e Diabetit

Gjilan, 9 nëntor 2026– Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, organizata KOPF, në bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi të Komunës së Gjilanit dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), organizon aktivitetin vetëdijësues Karvani Shëndetësor “PërSHËNDETje”.

​Ky aktivitet ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi parandalimin e diabetit dhe promovimin e një stili të shëndetshëm jetese në komunitet.

Ngjarja do të zhvillohet të mërkurën, më 11 nëntor 2026, nga ora 11:00 deri në 14:00, në Sheshin “Rexhep Mala” në Gjilan.

Në rast reshjesh shiut, organizatorët kanë bërë të ditur se aktiviteti do të zhvendoset në sallën e SHFMU “Thimi Mitko”.

​Gjatë këtij aksioni shëndetësor, të gjithë qytetarët e interesuar do të kenë mundësi të kryejnë shërbime mjekësore falas, si matjen e nivelit të sheqerit në gjak (glukozës), matjen e tensionit të gjakut, si dhe matjen e peshës e gjatësisë trupore bashkë me llogaritjen e indeksit të masës trupore (BMI).

Po ashtu, mjekët dhe ekspertët e pranishëm do të ofrojnë këshillim profesional për parandalimin e menaxhimin e diabetit, si dhe do të ndajnë informacione me rëndësi mbi ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik dhe kontrollin e faktorëve të rrezikut.

​Organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen këtij karvani për t’u kontrolluar dhe për t’u informuar nga afër rreth ruajtjes së shëndetit të tyre./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët