Reagime për mbishkrimet provokative në Bujanoc: Ratko Mladiç në qendër të qytetit

 

Kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar për mbishkrimet provokative në qendër të qytetit, duke theksuar se akti është i papranueshëm. “Dënojmë mbishkrimet me emrin e të dënuarit për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Ratko Mladiç. Kërkojmë nga organet kompetente të zbardhin rastin dhe të evitojnë çdo përsëritje të këtyre dukurive, të cilat nuk janë në interes të qytetarëve tanë,” ka thënë Pajaziti.

Ai theksoi se deri më tani, organet kompetente nuk kanë zbardhur asnjë rast që mund të çojë në tensione ndëretnike, duke theksuar se Bujanoci gjithmonë ka qenë model i bashkëjetesës midis popujve dhe si i tillë duhet të mbetet.

Edhe Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar për këto mbishkrime. Ai paralajmëroi se glorifikimi i kriminelëve të luftës nga Qeveria në Beograd po i shndërron ata në emra që vizatohen dhe shkruhen gjithandej në Serbi. Për fat të keq, mbrëmjen e kaluar edhe sheshi i Bujanocit nuk i shpëtoi këtij fenomeni, ku emri i Ratko Mladiçit u shkrua nga persona të paidentifikuar.

Kjo nuk është vetëm një fyerje për viktimat e luftës, por edhe një përpjekje e rrezikshme për të imponuar krimin si vlerë dhe për ta normalizuar të keqen. Çdo glorifikim i krimit është një akt kundër paqes, drejtësisë dhe së ardhmes së shoqërisë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët