Federata e Futbollit e Kosovës ka zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit me përzgjedhësin e Kombëtares, Franco Foda, edhe për dy vite të tjera.
Kontrata e re është nënshkruar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe përzgjedhësi Foda më 6 tetor 2025, ditën e parë të grumbullimit të ekipit kombëtar, duke formalizuar marrëveshjen e arritur paraprakisht.
Sipas kontratës, Franco Foda do të vazhdojë të drejtojë përfaqësuesen e Kosovës deri në fund të vitit 2027, me mundësi zgjatjeje automatike në rast se “Dardanët” sigurojnë kualifikimin në Kampionatin Evropian 2028.
Që nga marrja e drejtimit të Kombëtares më 17 shkurt 2024, Foda ka udhëhequr Kosovën në 17 ndeshje, duke regjistruar 11 fitore, 2 barazime (përfshirë atë ndaj Rumanisë 0:0) dhe 4 humbje.
Federata ka theksuar se vazhdimi i bashkëpunimit me trajnerin gjerman është rezultat i punës profesionale, përkushtimit dhe përmirësimit të ndjeshëm të performancës së ekipit gjatë periudhës së fundit.
FFK shprehet e bindur se me Fodën në krye, Kombëtarja e Kosovës do të vazhdojë të rritet dhe të synojë objektiva të mëdha në arenën ndërkombëtare.
