Sot, Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Shoqatën e Matematikanëve të Gjilanit (SHMGJ).
Ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit të matematikanëve në nivel lokal dhe qendror, si dhe harmonizimin e aktiviteteve që janë në interes të nxënësve dhe vetë profesionistëve të fushës së matematikës.
Përmes këtij bashkëpunimi, SHMK synon të kontribuojë në organizimin dhe fuqizimin e komunitetit të matematikanëve nëpër rajonet e Kosovës, duke mbështetur aktivitetet profesionale, garat, trajnimet dhe iniciativat tjera edukative.
SHMK ka bërë të ditur se do të vazhdojë edhe me marrëveshje të tjera me organizata lokale, me qëllim të popullarizimit të matematikës dhe koordinimit sa më efektiv të aktiviteteve të përbashkëta.
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka vlerësuar lartë punën e SHMGJ, duke e cilësuar atë si një shembull të organizimit të suksesshëm lokal. Njëkohësisht, SHMK ka ftuar kolegët e komunave të tjera që të ndjekin modelin e SHMGJ, në mënyrë që të forcohet rrjeti i shoqatave profesionale dhe të rriten mundësitë për bashkëpunim e koordinim me strukturat qendrore.


