Rrugëtimi i Gjilanit në Kupën e Kosovës është ndalur pasditen e sotme në Suharekë, ku “kuqebardhët” u mposhtën nga lideri i Superligës, Ballkani, me rezultat të ngushtë 2:1.
Ndeshja nisi me presion të vendasve, të cilët gjetën rrjetën që në minutën e 12-të përmes Tolajt. Goditja e tij e fortë fillimisht u ndal në shtyllën horizontale e më pas kaloi vijën e portës, gol ky që u konfirmua vetëm pas rishikimit në sistemin VAR.
Kur pritej reagimi i Gjilanit, një depërtim i shpejtë i Almir Kryeziut në minutën e 40-të u finalizua saktë nga Smajli, duke dërguar skuadrat në pushim me epërsinë 2:0 për suharekasit.
Pjesa e dytë ishte tjetër pasqyrë, me Gjilanin që kërkoi me ngulm rikthimin. Shpresat u ndezën në minutën e 70-të, kur Jaroviq shënoi golin e parë për gjilanasit, duke ngushtuar rezultatin dhe duke rritur tensionin në fushë.
Megjithëse minutat e fundit dhe ato shtesë u karakterizuan nga sulme të vazhdueshme të Gjilanit, rezultati mbeti i pandryshuar.
Me këtë fitore Ballkani kalon në gjysmëfinale, ndërsa Gjilani tani duhet të përqendrojë të gjitha forcat në kampionat.
