Pasioni dhe rivaliteti i flaktë i derbit të qytetit të Gjilanit ka marrë epilog edhe me vlerësimet individuale.
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për xhiron e 26-të, i cili këtë herë ka shkuar në duart e sulmuesit të krahut të FC Drita, Veton Tusha.
Vlerësimi erdhi pas një paraqitjeje vendimtare në njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit.
Tusha ishte njeriu i ndeshjes në derbin kundër SC Gjilanit, duke shënuar golin e vetëm dhe të artë që vulosi fitoren 0:1.
Ky triumf nuk ishte thjesht një fitore prestigji përballë rivalit lokal, por kishte peshë të dyfishtë, pasi tri pikët e arkëtuara e rikthyen skuadrën e Dritës në krye të tabelës së klasifikimit në Superligë.
Vendimi për t’i ndarë këtë dekoratë futbollistit të bardhekaltërve u mor nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, të cilët vlerësuan ndikimin e drejtpërdrejtë të Tushës në rezultatin përfundimtar të javës.
Pas marrjes së çmimit, futbollisti nuk e fshehu gëzimin, duke theksuar se ky sukses vjen falë frymës së mirë që mbretëron brenda grupit.
Në prononcimin e tij për faqen zyrtare të FFK-së, Tusha u shpreh se derbit janë gjithmonë sfidues, por synimi kryesor mbetet titulli kampion.
Ai ia dedikoi këtë mirënjohje tifozëve “Intelektualët”, ndërsa falënderoi bashkëlojtarët, stafin teknik dhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme.
Me këtë formë të treguar, Drita po dëshmon se është pretendenti kryesor për t’u kurorëzuar në fund të kampionatit.

