Drita tregon forcën e liderit, përmbys Ferizajn dhe shkëputet në krye të tabelës

Stadiumi i qytetit në Gjilan ka vluar nga festa pas një fitoreje të madhe dhe me plot mençuri që KF Drita korri ndaj Ferizajt me rezultat 2:1.

Në kuadër të javës së 26-të të Superligës së Kosovës, “bardhekaltërit” treguan lojë stabile dhe karakter prej kampionësh, duke përmbysur disavantazhin fillestar për të blinduar pozitën e parë.

Ndeshja nuk nisi mirë për vendasit, pasi Ferizaj befasoi që në minutën e 17-të. Kushtrim Shabani gjeti rrugën drejt rrjetës, duke kaluar mysafirët në epërsi prej 0:1.

Megjithatë, Drita nuk u panikua dhe rriti presionin, gjë që u shpërblye 20 minuta më vonë. Mesfushori Vesel Limaj, me një goditje të saktë me të majtën nga një pozitë ballore, e dërgoi topin në këndin e poshtëm të portierit mysafir, duke barazuar shifrat në 1:1.

Pjesa e dytë ishte një luftë nervash dhe taktike, ku Drita kërkoi me ngulm golin e fitores. Ky gol erdhi vetëm tetë minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Në minutën e 82-të, Liridon Balaj u tregua më i shpejti pas një topi të dëbuar nga portieri, duke e shtyrë atë në rrjetë për rezultatin 2:1.

Ky moment shpërtheu gëzimin në tribuna dhe në kampin bardhekaltër, pasi tri pikët e reja ishin tashmë të siguruara.

Me këtë fitore, e shtata si vendas këtë sezon, Drita konfirmon formën e lartë dhe ruan pozitën e parë në renditje me 54 pikë.

Diferenca me ndjekësin e parë, Ballkanin, tashmë është rritur në 5 pikë, duke e bërë rrugën drejt titullit edhe më të sigurt për gjilanasit.

 

Shpërndaj me të tjerët