Klubi Futbollistik “Galaksia” nga Gjilani ka shënuar një jubile të rëndësishëm, duke festuar 18-vjetorin e themelimit.
Ky përvjetor e gjen klubin me një bilanc të pasur suksesesh, ku përveç rritjes së gjeneratave të tëra të futbollistëve, është shpallur edhe kampion në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Gjilan.
Trajneri i klubit, Armend Maliqi, i cili ka përjetuar çdo etapë të këtij rrugëtimi, nga lojtari dhe kapiteni e deri te roli i tij aktual në stol, kujton se gjithçka nisi në vitin 2008 me një vizion të qartë: zhvillimin e talenteve të reja.
Nga Gjilani në Danimarkë e Turqi
Fokusi te grupmoshat U13, U15 dhe U17 ka bërë që KF “Galaksia” të mos jetë vetëm një emër lokal, por një përfaqësues dinjitoz i futbollit kosovar edhe jashtë kufijve.
Pjesëmarrja në turne të rëndësishëm ndërkombëtarë në Danimarkë, Turqi e Shqipëri ka shërbyer si një shkollë e madhe për lojtarët, duke rritur cilësinë dhe përvojën e tyre në fushën e blertë.
Sfida e vetëfinancimit dhe puna e palodhshme
Përkundër sukseseve, rrugëtimi i KF “Galaksia” mbetet një histori sakrifice. Maliqi vë në spikamë faktin se klubi operon kryesisht përmes vetëfinancimit.
Stërvitjet kryhen në terrene të mbyllura, ndërsa mbështetja e vetme vjen herë pas here përmes subvencioneve nga Komuna e Gjilanit.
Në këtë rrugëtim 18-vjeçar, merita të mëdha i atribuohen edhe trajnerit të parë, Jetullah Arifi, i cili qëndron në klub që nga dita e parë, duke u bërë shtyllë e stabilitetit dhe vazhdimësisë.
Tradicioni i vlerësimit të më të mirëve
“Në secilin përvjetor, ne shpallim lojtarët më të dalluar të shkollës sonë të futbollit,” thotë Maliqi, duke treguar se kjo traditë shërben si motivim për gjeneratat që vijnë.
Aktualisht, KF “Galaksia” garon në Ligën e Tretë të Kosovës, por synimet mbeten të larta.
Me një përvojë të kaluar edhe në Ligën e Dytë dhe me titullin e fundit si kampion rajonal, ky klub mbetet i përkushtuar që edhe në të ardhmen të mbetet “fidanishtja” kryesore prej nga dalin yjet e rinj të futbollit gjilanas.

