Pas një sezoni me mjaft sfida dhe një riorganizimi të suksesshëm, KB Drita ka arritur të sigurojë edhe zyrtarisht vendin në elitën e basketbollit kosovar.
Në ndeshjen e dytë finale, basketbollistët gjilanas shënuan një fitore tejet të rëndësishme kundër Proton Cable Prizrenit me rezultat të ngushtë 92:91, duke mbyllur me sukses misionin e këtij viti.
Ky rezultat dëshmon pjekurinë e treguar në momentet vendimtare dhe dëshirën e madhe të klubit për t’u kthyer në mesin e më të mirëve.
Për KB Dritën, ky nuk është thjesht një sukses i radhës, por rikthim në shtëpinë e saj. Klubi mban një histori të pasur si kampion i Kosovës para luftës, ndërsa në fillimet e pasluftës ishte pjesë e katërshes kryesore që dominonte basketbollin në vend.
Tashmë, ekipin nga Gjilani e pret një punë e madhe për t’u konsoliduar dhe për të ndërtuar një skuadër konkurruese që përfaqëson denjësisht qytetin në Superligë.
Rikthimi i basketbollit cilësor në Gjilan është një lajm i mirëpritur për gjithë komunitetin sportiv.

