Ismajli sqaron negociatat, kërkuam president jopartiak, jo bashkëqeverisje

Pas takimit të sotëm mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar anëtari i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Gjilani, Arbër Ismajli.

Përmes një sqarimi, Ismajli ka treguar detajet e takimit dhe qëndrimin parimor të LDK-së në këtë proces.

Ja postimi i tij i plotë:

“Sot u zhvillua takimi mes Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Kryeministrit Albin Kurti, me fokus në çështjen e zgjedhjes së Presidentit dhe evitimin e zgjedhjeve të reja.

Është me rëndësi të theksohet se këto negociata kanë qenë të përqendruara ekskluzivisht në gjetjen e një zgjidhjeje për Presidentin, dhe jo për bashkim qeverisjeje. LDK ka hyrë në këtë proces me vullnet të plotë për të kontribuar në një zgjidhje të qëndrueshme, duke propozuar dhe mbështetur idenë e një kandidature konsensuale dhe jopartiake, si rruga më e drejtë për të garantuar unitet dhe stabilitet institucional.

Megjithatë, përkundër qasjes sonë konstruktive dhe gatishmërisë për kompromis, nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm nga pala tjetër për të mbështetur një emër të tillë gjithëpërfshirës.

Qasja e Kryetarit Abdixhiku ka qenë e qartë dhe parimore në shërbim të interesit shtetëror dhe funksionimit normal të institucioneve. LDK mbetet e përkushtuar për zgjidhje që shmangin krizat dhe forcojnë demokracinë në vend, mirëpo, jo çdoherë ajo varet prej LDK-së.”

 

Shpërndaj me të tjerët