Ademi: Të ndalet qarkullimi i kamionëve mbi peshën e lejuar në Gjilan

Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Fadil Ademi, ka reaguar sërish publikisht lidhur me qarkullimin e mjeteve të rënda transportuese në disa rrugë të qytetit, duke shkelur rregullat e trafikut dhe ndalesën për peshën e lejuar.

Sipas Ademit, edhe pas reagimeve të mëhershme, në rrugët “Nëna Ajshe”, “Bajram Tërstena” dhe “Naser Neziri” po vazhdon qarkullimi i kamionëve që kalojnë peshën prej 3.5 tonësh.

Ai ka bërë të ditur se kjo dukuri po ndodh çdo ditë, duke sjellë pasoja serioze për banorët dhe infrastrukturën.

Në reagimin e tij, asambleisti ka renditur dëmtimin e rrugëve, rrezikimin e gypit kryesor të ujësjellësit dhe rrezikimin e sigurisë së banorëve si shqetësimet kryesore.

Ademi u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe kompanisë “EcoHigjiena” që të veprojnë menjëherë për të ndaluar këtë praktikë.

“Kjo duhet të ndalet! Ligji duhet të vlejë për të gjithë”, ka përfunduar Ademi, duke kërkuar zbatimin e rreptë të ndalesës për automjetet e rënda në këto zona banimi.

 

Shpërndaj me të tjerët