Historiani gjilanas, Prof. Mr. Nezir Beqiri, njëherësh mësimdhënës në SHMU “Rexhep Elmazi”, ka bërë një propozim publik drejtuar institucioneve që autostrada e re Gjilan-Prishtinë të mbajë emrin e heroit të kombit, Agim Ramadani.
Përmes një kërkese publike drejtuar të zgjedhurve të popullit, Beqiri ka kërkuar që ky aks rrugor i mezipritur për Anamoravën të pagëzohet me emrin e strategut të Koshars, duke shpresuar në një votim pozitiv nga ana e tyre.
Agim Ramadani, i njohur gjatë luftës me nofkën “Katana”, lindi më 3 maj 1963 në Zhegër të Gjilanit dhe ra dëshmor më 11 prill 1999 gjatë Betejës së Koshares, ku udhëhoqi thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Përveçse një nga komandantët më të shquar të UÇK-së dhe “Hero i Kosovës”, ai ishte një intelektual i gjithanshëm, poet e piktor, i cili la Zvicrën ku jetonte si emigrant politik për t’i dalë zot atdheut.

