Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori në pension William G. Walker, u ka dërguar një letër zyrtare të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës propozon Faton “Tony” Bislimin si kandidat për President të Republikës.
Në shkresën e tij drejtuar krerëve politikë, diplomati amerikan ka shprehur shqetësimin lidhur me bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Walker ka kërkuar nga partnerët politikë në Prishtinë që emri dhe kualifikimet e Bislimit të shqyrtohen me seriozitet gjatë diskutimeve parlamentare për postin e të parit të shtetit.
Faton Bislimi, me origjinë nga Gjilani, ka një përvojë të mëparshme politike si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai aktualisht jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gëzon një rrjet të gjerë kontaktesh me diplomacinë perëndimore.
Letra e ambasadorit Walker u është shpërndarë të gjitha subjekteve politike parlamentare, me thirrjen për të gjetur një zgjidhje kushtetuese dhe për të kapërcyer ngërçin politik në vend.
