DRAMË NË CHAMPIONS/ Barcelona fiton, por eliminohet, Atletico Madrid prek gjysmëfinalen!

Dy çerekfinalet e kthimit në Champions League, të luajtura këtë të martë, kanë dhuruar emocione të forta dhe rezultate që do të diskutohen gjatë.

Barcelona nuk ka arritur të kompletojë përmbysjen e madhe dhe është eliminuar nga gara, ndërsa PSG ka konfirmuar dominimin e saj.

Barcelona fiton, por Atletico Madrid feston

Pavarësisht fitores 1-2 në ndeshjen e kthimit, Barcelona kthehet në shtëpi. Fitorja e pastër e Atletico Madridit 0-2 në aktin e parë rezultoi vendimtare për kualifikimin e tyre në gjysmëfinale.

Ndeshja nisi mirë për katalanasit, të cilët treguan dëshirë të madhe dhe shënuan dy herë në pjesën e parë përmes Lamine Yamal dhe Ferran Torres.

Megjithatë, Lookman ngushtoi shifrat në fund të pjesës së parë, duke vështirësuar misionin e ekipit të Flick.

Në pjesën e dytë, një gol i dytë i Torres u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa situata u rëndua 10 minuta para fundit kur Eric Garcia u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë Barçën me 10 lojtarë.

PSG nuk fal, eliminohet Liverpooli

Në krahun tjetër, kampionët në fuqi të Europës, PSG, nuk kanë lejuar befasi.

Pasi fituan 2-0 në ndeshjen e parë kundër Liverpoolit, parisienët përsëritën të njëjtin rezultat edhe në takimin e kthimit.

Me një fitore të pastër 2-0, PSG siguron biletën për në gjysmëfinale, duke dërguar një mesazh të qartë se mbeten favoritët kryesorë për trofeun.

 

Shpërndaj me të tjerët