Dy skuadrat nga Gjilani, KF Drita dhe SC Gjilani, sot i presin ndeshje mjaft të rëndësishme në kuadër të javës së 15-të të Superliga e Kosovës.
KF Drita do të jetë nikoqire e KF Dukagjini në Gjilan, ndërsa SC Gjilani udhëton drejt Podujevës për t’u përballur me KF Llapi.
Drita synon të rikthehet te fitorja pas humbjes së thellë ndaj FC Ballkani dhe sipas trajnerit Zekirija Ramadani, skuadra është e përgatitur maksimalisht për këtë sfidë.
“Na pret një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari që luan fort, agresivisht dhe me kundërsulme. Megjithatë, ne kemi cilësi dhe potencial dhe synimi ynë janë tri pikët,” është shprehur Ramadani.
Në anën tjetër, SC Gjilani kërkon të lërë pas humbjen ndaj KF Drenica dhe të rikthehet me rezultat pozitiv nga përballja me KF Llapi.
Trajneri Debatik Curri ka theksuar se skuadrën e pret një sfidë e vështirë në një terren të papërshtatshëm.
“Llapi është në formë të mirë kohëve të fundit dhe do të jetë një ndeshje e vështirë. Shpresojmë të dalim me fitore. Humbja e fundit na ka dhënë mësime dhe duhet të reagojmë më mirë. Kemi kualitet për t’i rikuperuar pikët e humbura,” ka deklaruar Curri.
Ai shtoi se ekipi duhet të luajë me disiplinë, maturi dhe përkushtim maksimal, duke theksuar se më e rëndësishmja është sigurimi i tri pikëve.
Në rast të një fitoreje, KF Drita do të vazhdojë të mbetet në krye të tabelës, ndërsa SC Gjilani me një triumf eventual do të ngjitet në vendin e tretë.

