Gjilani në kërkim të fitores për rehabilitim dhe kthim në luftë për kreun

Pas pauzës dyjavore, Superliga e Kosovës rikthehet sot me përballje mjaft interesante. Skuadra e Gjilanit udhëton drejt Hajvalisë për t’u ballafaquar me Prishtinën e Re, në një ndeshje që, ndonëse në letër duket e lehtë, në terren pritet të jetë mjaft e vështirë.

Në kuadër të javës së 27-të, gjilanasit do të luajnë në stadiumin me bari sintetik. Prishtina e Re, ndonëse ndodhet në pozitën e fundit me 24 pikë, ka gjasa reale për mbijetesë, gjë që e bën këtë takim tejet të paparashikueshëm dhe luftarak.

Për kuqebardhët, kjo ndeshje është jetike për të harruar humbjen në derbin lokal kundër Dritës.

Gjilani aktualisht mban pozitën e pestë me 39 pikë, vetëm dy pikë larg vendit të tretë që mbahet nga Prishtina dhe nëntë pikë larg kreut të tabelës.

Një fitore sot është e domosdoshme nëse skuadra synon seriozisht daljen në Evropë.

Megjithatë, Gjilani vjen në këtë përballje me mungesa të rëndësishme në formacion. Mesfushorët Boshnjaku dhe Taipi janë jashtë fushave shkak i lëndimeve, ndërsa sulmuesi i krahut, Prapashtica, mungon pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit.

 

Shpërndaj me të tjerët