Kastrati: Pagesa e tatimit në pronë garanton investime, mos-pagesa sjell masa ligjore

Drejtoria për Buxhet dhe Financa njofton qytetarët se, pavarësisht vonesave në shpërndarjen e faturave të tatimit në pronë për vitin 2026, obligimet tatimore dhe borxhet e akumuluara nga vitet paraprake mbeten detyrim ligjor i plotë dhe i zbatueshëm.

Drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, theksoi se bazuar në ligjet në fuqi për tatimin në pronë dhe administratën tatimore, çdo tatimpagues është i obliguar të përmbushë detyrimet e tij, ndërsa mos-pagesa sjell inicimin e procedurave për mbledhje të detyrueshme.

Ai bëri të ditur se borxhet e papaguara nga vitet e kaluara janë në rritje të vazhdueshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në realizimin e investimeve kapitale dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

“Të hyrat nga tatimi në pronë janë ndër burimet kryesore për financimin e projekteve kapitale, përfshirë investimet në infrastrukturë, shkolla dhe shërbime të tjera në interes të përgjithshëm”, tha Kastrati.

Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të kryejnë obligimet pa vonesë ose të paraqiten për marrëveshje pagese me këste.

Në të kundërtën, sipas tij, do të ndërmerren të gjitha masat ligjore për mbledhjen e borxheve, përfshirë vendimet për ekzekutim dhe procedurat përmbarimore.
“Zbatimi i ligjit dhe barazia para obligimeve do të vlejnë për të gjithë pa përjashtim”, përfundoi Kastrati.

Shpërndaj me të tjerët