KULTURË/“Edhe ditës i pikuan lotët”, një poezi për dhimbjen, kujtesën dhe tragjedinë e luftës

Poezia “Edhe ditës i pikuan lotët” e Avdush Canajt është një dëshmi poetike e dhimbjes, tragjedisë dhe krimit të luftës ndaj një familjeje shqiptare.

Përmes rrëfimit të një fëmije, poeti paraqet në mënyrë të fuqishme vrasjen e babait dhe dhunën ndaj motrës, duke e bërë tragjedinë edhe më prekëse e njerëzore.

Simbolet e plisit, murit, diellit dhe lotëve të ditës e thellojnë mesazhin e poezisë, ndërsa vargjet shprehin dashurinë për familjen, lidhjen me tokën dhe dhimbjen e një populli të pambrojtur.

Në fund, edhe natyra duket se vajton bashkë me njeriun, duke e kthyer poezinë në një protestë të fuqishme kundër dhunës dhe krimeve të luftës.

EDHE DITËS I PIKUAN LOTËT

AVDUSH CANAJ

Ata erdhën siç vjen tufani
babën me plis
e lidhen për mani.

Mos e vritni, i luta,
mos,babën tim plak!
Askujt s’i ka hak!
Jemi në Tokën tonë,
s`jemi ardhacakë.
Babën e dua, jam gjaku i tij i dëlir,
më vritni mua më mirë!
Më vritni mua!

Një sy lubie
më shkundulloi për flokë:
Dëgjo ti, shqiptari i vogël,
plumbin s`e harxhoj në ty
tek ky mur,
dikush duhet të tregojë histori
se ç`bëmë ne dikur.

Dhe babën e bënë shoshë,
shoshë edhe plisin!

E motrën? Ah, motrën
që i ngjante krejt nënës,
në sy të mi
ia prishën gërshetat,
gërshetat e bukur si të hënës!

Ç`të të them tjetër?
Edhe ditës i pikuan lotët
bashkë me blerimin!
Dielli u fsheh pas reve
të mos e shoh trishtimin!

Qershor, 2017

Shpërndaj me të tjerët