Këshilltari më aktiv i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Fadil Ademi, ka vazhduar angazhimin e tij në terren duke adresuar drejtpërdrejt shqetësimet e qytetarëve te organet kompetente.
Së fundmi, ai është takuar me drejtoreshën teknike të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidromorava”, Elhame Shefkiu.
Përmes një njoftimi, Ademi bëri të ditur se në këtë takim ka ngritur tri çështje urgjente që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të banorëve të Gjilanit dhe fshatrave përreth.
Së pari, këshilltari i LVV-së ka kërkuar zgjidhje për rrugët e dëmtuara pas sanimit të defekteve.
Ai theksoi se gjatë ndërhyrjeve po bëhen prerje në asfalt, por pas përfundimit të punimeve, rrugët nuk po kthehen në gjendjen e mëparshme, gjë që po shkakton vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve dhe banorëve.
Së dyti, Ademi ka ngritur shqetësimin e banorëve të fshatit Llovcë, ku gypi i ujësjellësit ngrin gjatë stinës së dimrit duke i lënë qytetarët pa ujë të pijshëm.
0Ai ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme para se të nisë dimri, në mënyrë që ky problem të mos përsëritet.
Së treti, gjatë bashkëbisedimit me drejtoreshën teknike është diskutuar po ashtu edhe për gjendjen e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatin Bilinicë.
Ademi ka shprehur falënderimin e tij për Elhame Shefkiu për profesionalizmin, gatishmërinë dhe seriozitetin e treguar gjatë takimit për të parë mundësitë reale të zgjidhjes së këtyre problemeve.
Ai ka potencuar se çdo shqetësim i qytetarëve është përgjegjësi e tij direkte dhe se do të vazhdojë të jetë ura lidhëse mes tyre dhe institucioneve, duke insistuar që asnjë problem të mos lihet pas dore.
