Në prag të festës së Fitër Bajramit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, përmes degës së shoqatës humanitare “Bereqeti”, ka realizuar një aksion të gjerë bamirësie duke shpërndarë mbi 250 pako ushqimore për familjet në nevojë.
Nga kjo ndihmë kanë përfituar familje në kushte të vështira ekonomike, veteranë të luftës, anëtarë të shoqatës së të verbërve, si dhe kategori të tjera në nevojë, me synimin që festa e Bajramit të sjellë gëzim dhe lehtësim për të gjithë.
Ky aktivitet humanitar vjen si dëshmi e solidaritetit dhe përkujdesjes institucionale ndaj shtresave më të ndjeshme të shoqërisë.
Përfaqësues të KBI-së në Gjilan kanë theksuar se përmes këtyre veprimeve synohet të forcohen vlerat e mëshirës, ndihmës së ndërsjellë dhe bashkimit shoqëror, veçanërisht në ditë të rëndësishme siç është Bajrami.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan ka shprehur mirënjohje të veçantë për të gjithë kontribuuesit dhe mbështetësit që mundësuan realizimin e këtij aksioni, në veçanti për Sh.B. “Bashkëveprimi”, Arsi Kola, Floil, Interex, si dhe donatorët e shumtë nga Sofra e Ramazanit.
Nga KBI u bë e ditur se aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të mbështetjes së vazhdueshme për familjet në nevojë.

