Pas meshkujve, edhe vashat e Dritës sigurojnë finalen e madhe të Kupës së Kosovës

Pas suksesit të arritur nga ekipi i meshkujve, edhe skuadra e femrave e KV Dritës ka prerë biletën për në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në volejboll.

Gjilanasit dominuan në gjysmëfinalen e parë të “Final Four” kundër Ferizajt, duke triumfuar me rezultat 1-3 në sete.

Ndeshja nisi me një rivalitet të lartë, ku setin e parë e fituan vashat e Dritës me shifrat 24-26.

Ferizaj arriti të kundërpërgjigjej në setin e dytë pas një lufte të fortë pikë për pikë (28-26), duke barazuar rezultatin e përgjithshëm.

Megjithatë, përvoja dhe cilësia e gjilanasve doli në pah në dy setet vijuese, të cilat i fituan bindshëm me rezultatet 17-25 dhe 19-25.

Me këtë fitore, KV Drita (femrat) konfirmon formën e lartë dhe synimin e qartë për trofeun e çmuar.

Në finalen e madhe, ato do të përballen me fituesin e çiftit tjetër gjysmëfinal mes Fer Volley dhe Fushë Kosovës.

Ky sukses i dyfishtë për klubin e Dritës dëshmon edhe një herë dominimin e volejbollit gjilanas në nivel kombëtar.

 

Shpërndaj me të tjerët