Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka shqiptuar 1827 gjoba në trafik gjatë javës së fundit, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në rrugë.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore, gjatë periudhës 06 mars – 12 mars 2026, përveç gjobave janë trajtuar edhe një numër i konsiderueshëm aksidentesh.
Gjatë kësaj periudhe janë hetuar: 13 aksidente trafiku me dëme materiale, 18 aksidente trafiku me persona të lënduar.
Policia ka shqiptuar gjithashtu: 72 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 32 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, 31 gjoba për modifikim të automjeteve (folije të errëta).
Po ashtu, për shkelje të ndryshme në trafik është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 36 ngasës.
Policia njofton se, në kuadër të planit operativ të ROADPOL, kontrollet në rrugë do të vazhdojnë me intensitet të shtuar, me fokus të veçantë në përdorimin e rripit të sigurisë.
Sipas ligjit në fuqi, shoferi dhe të gjithë personat në automjet janë të obliguar të përdorin rripin e sigurisë, ndërsa për mosvendosjen e tij parashihet gjobë prej 150 eurosh.
