Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në një takim zyrtar sportisten gjilanase Kaula Haziri, e cila ka shënuar një sukses historik duke u shpallur kampione në Kampionatin Mesdhetar të Boulingut 2026, të mbajtur në Zagreb.
Përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare, kryetari Hyseni ka shprehur vlerësimin e lartë për këtë arritje madhore, duke theksuar se triumfi i saj ka lënë gjurmë të rëndësishme në sportin ndërkombëtar.
Gjatë këtij takimi, i pari i Gjilanit e ka uruar përzemërsisht sportisten për medaljen e artë, duke i dëshiruar suksese të mëtejshme në karrierën e saj të pasur sportive.
Hyseni potencoi se suksesi i Kaulës e ka bërë krenar Gjilanin dhe mbarë Kosovën, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e jashtëzakonshëm të rinisë sonë.
Sipas tij, sportistët si Kaula po vazhdojnë të mbeten ambasadorët më të mirë dhe më dinjitozë të vendit në arenën ndërkombëtare.

