Mbrojtësi qendror i FC Dritës, Egzon Bejtullai, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, e cila ka rezultuar plotësisht e suksesshme. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga zyra për informim e klubit kampion.
Bejtullai pësoi një lëndim të rëndë në gjurin e djathtë gjatë ndeshjes kampionale kundër FC Ballkanit.
Sipas raportit të parë mjekësor, gjithçka ka shkuar sipas planit dhe futbollisti pritet të lirohet nga spitali që ditën e nesërme për të nisur menjëherë fazën e rehabilitimit.
Tetovari ka qenë një nga shtyllat kryesore dhe titullar i padiskutueshëm në repartin defensiv të Dritës këtë sezon.
Reprezentuesin e Maqedonisë së Veriut tani e pret një periudhë rikuperimi, ndërsa klubi dhe tifozët i kanë uruar rikthim sa më të shpejtë në fushën e gjelbër.

