Sot mbushen 21 vite që kur u nda nga jeta prof. Ruzhdi Ismajli, një figurë e shquar e arsimit dhe një personalitet tejet i respektuar në Gjilan e rrethinë.
Në këtë përvjetor të ikjes në amshim, djali i tij, ish-kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka ndarë fjalë rrëqethëse në kujtim të prindit.
“Koha kalon, por mungesa jote mbetet po aq e rëndë sa ditën e parë. Përveç që ishe një baba i veçantë, ishe edhe mësues i jetës, njeri i dijes dhe i fjalës, që la gjurmë tek çdo njeri që pati fatin të të njohë,” ka shkruar Ismajli, duke theksuar krenarinë që familja bart trashëgiminë dhe veprën e tij të çmueshme.
Profesor Ruzhdi Ismajli njihet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Gjatë karrierës së tij, ai shërbeu me përkushtim edhe si drejtor i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Gjilan, duke lënë pas vetes breza të tërë nxënësish e kolegësh që e kujtojnë me nderim të lartë.
Kujtimi për prof. Ruzhdiun mbetet i gjallë në qytetin e Gjilanit, si një shembull i njeriut të palodhur për dritën e arsimit dhe edukimin e brezave të rinj.

