Skuadra e Gjilanit ka shënuar një fitore tejet të rëndësishme në kuadër të javës së 27-të të Superligës së Kosovës, duke mposhtur Prishtinën e Re me rezultat 1–2.
Me këtë sukses, gjilanasit ngjiten në kuotën e 42 pikëve, duke rrëmbyer përkohësisht pozitën e tretë në tabelë dhe duke konfirmuar synimet serioze për një vend në garat evropiane.
Ndeshja nuk nisi mirë për mysafirët, pasi Prishtina e Re kaloi në epërsi që në minutën e 3-të.
Pas një asistimi nga Dejan Trajkovski, Cheick Doukoure shënoi me kokë duke mposhtur portierin Kokaj për rezultatin 1–0.
Megjithatë, Gjilani nuk u dorëzua dhe gjeti forcat për t’u rikthyer në lojë në minutën e 39-të. Robert Rrahmani, pas një aksioni individual, lëshoi një goditje të fuqishme ballore duke baraspeshuar shifrat në 1–1.
Përmbysja e madhe erdhi në fundin e ndeshjes. Në minutën e 86-të, pas një prekjeje të qëllimshme të topit me dorë nga kapiteni i vendasve brenda zonës, gjyqtari akordoi penallti dhe e ndëshkoi atë me karton të kuq.
Nga pika e bardhë i saktë u tregua sulmuesi Senad Jaroviq, i cili shënoi golin e fitores 1–2.
Ky ishte goli i 13-të sezonal për Jaroviqin, i cili vazhdon të mbetet golashënuesi më i mirë i skuadrës kuqebardhë.
Ndërsa për Prishtinën e Re, kjo humbje e vështirëson skajshmërisht luftën për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.

