Arsenali është finalisti i parë i këtij sezoni në Ligën e Kampionëve. Pas një pritjeje të gjatë prej dy dekadash, skuadra londineze ka arritur të sigurojë biletën për në finalen e madhe, duke mposhtur Atletico Madridin me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e kthimit.
Goli që vendosi fatin e këtij takimi erdhi në minutën e 44-të. Pas një goditjeje të fuqishme të Trossard që u ndal fillimisht nga portieri Oblak, ylli i skuadrës Bukayo Saka u gjend në vendin dhe kohën e duhur për të dërguar topin në rrjetë, duke ndezur festën në stadium.
Pjesa e dytë ishte një provë zjarri për mbrojtjen e “Topçinjve”. Spanjollët e Diego Simeones tentuan me të gjitha forcat për të gjetur golin e barazimit që do ta dërgonte ndeshjen në shtesa, por mbrojtja e Arsenalit ishte e pathyeshme deri në vërshëllimën e fundit.
Kujtojmë se dueli i parë në Madrid kishte përfunduar me rezultatin baras 1:1, duke bërë që fitorja në Londër të jetë vendimtare.
Arsenali tashmë pret i qetë finalen e 30 maj në Budapest, ku do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Bayern Munich dhe PSG.

