SIGURI/ Policia në Gjilan shqipton gati 2 mijë gjoba dhe heq nga trafiku 53 shoferë brenda një jave

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe Stacioneve Policore, ka vazhduar zbatimin e planeve operative për rritjen e sigurisë në rrugë.

Gjatë periudhës prej 31 korrikut deri më 6 gusht 2026, zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsej 1,966 gjoba për kundërvajtësit e rregullave të trafikut.

​Përveç gjobave të përgjithshme, gjatë kësaj periudhe policia ka ndërmarrë një varg aktivitetesh dhe masat ndëshkuese si më poshtë:

Janë hetuar 47 aksidente me dëme materiale si dhe 25 aksidente me persona të lënduar.

U është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjetit motorik 53 ngasësve.

Janë shqiptuar 79 gjoba për drejtuesit e motoçikletave.

Janë ndëshkuar 26 shoferë për përdorim të telefonit gjatë ngasjes.

Janë shqiptuar 14 gjoba për shkaktim të zhurmës gjatë orëve të natës.

​Me qëllim të ruajtjes së rendit public dhe krijimit të një ambienti të qetë për të gjithë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u bën apel qytetarëve dhe subjekteve afariste që të shmangin çdo veprim që shkakton zhurmë të panevojshme e të padurueshme gjatë natës, duke respektuar të drejtën e banorëve për qetësi.

Shpërndaj me të tjerët