KULTURË/Qëndrim Kçiku, aktori nga Velekinca me dy diploma master që po lë gjurmë në teatër e televizion

GJILAN, 10 nëntor 2026– Bota e artit skenik në rajonin e Anamoravës ka një emër të veçantë që shquhet për përkushtimin, përgatitjen e lartë akademike dhe talentin e tij në skenë e ekran.

Qëndrim Kçiku, me origjinë nga Velekinca e Gjilanit, përfaqëson një profil të rrallë artistik, duke qenë i vetmi aktor në të gjithë Anamoravën që ka përfunduar si shkollimin e mesëm profesional për art, ashtu edhe studimet akademike në aktrim.

​Hapat e parë dhe zbulimi i passionit në Gjilan

​Dëshira e tij për aktrimin lindi që në bankat e shkollës fillore, përmes angazhimit të vazhdueshëm në aktivitete të ndryshme kulturore e artistike.

Hapat e parë drejt artit skenik i konsolidoi në Qendrën Rinore në Gjilan, ku ndoqi kursin e aktrimit nën udhëheqjen e mësimdhënësve Alban Shaiqi dhe Jashar Shaiqi.

Kjo përvojë e hershme shërbeu si shtysë kryesore për të zgjedhur artin si rrugëtimin e tij jetësor e profesional.

​Përgatitja e lartë akademike dhe dy diploma Master

​Rrugëtimin e tij arsimor Kçiku e nisi në Shkollën e Arteve “Odhise Paskali” në Pejë, për të vazhduar më pas studimet në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ku u diplomua në Aktrim me mesatare të lartë 9.4.

Ai e thelloi më tej përgatitjen e tij duke përfunduar studimet Master në Aktrim dhe Teatër me mesatare maksimale 10, si dhe studimet Master në Menaxhment të Përgjithshëm Ndërkombëtar në vitin 2016, duke bartur kështu dy diploma të nivelit master.

​Rrolet në seriale televizive dhe bashkëpunimet me emra të njohur

​Përveç angazhimit si aktor në Teatrin e Qytetit në Gjilan, Qëndrim Kçiku ka ndërtuar një karrierë të pasur edhe në ekranin televiziv.

Ai numëron disa rrole të rëndësishme në seriale me shikueshmëri të lartë, përfshirë rrolin e hetuesit policor Iliri në serialin “Sulltan Schatz”, rrolin e Ramës në “Rrugët e Lirisë”, Llakin në serialin “Familja”, si dhe pjesëmarrjen në projektin komik “CAPO”.

Në Prishtinë dhe me gjerë, ai ka bashkëpunuar me emra të njohur të skenës sonë, si Ilir Prapashtica, Halil Budakova e figura të tjera, si dhe ka qenë pjesë e realizimit të tregimeve popullore.

​Frymëzimi artistik dhe puna me brezat e rinj

​Në qasjen e tij artistike, Kçiku udhëhiqet nga metodat e kolosëve të teatrit botëror si Konstantin Stanislavski, Jerzy Grotowski dhe Bertolt Brecht, ndërsa mes aktorëve që e kanë frymëzuar më së shumti veçon doajenët e artit shqiptar, Bekim Fehmiu dhe Faruk Begolli.

Përveç aktrimit, ai mbetet i angazhuar edhe në mësimdhënie, duke punuar me përkushtim me talentet e reja dhe nxënësit e shkollave të mesme, me qëllim ngritjen e brezit të ri artistik.

​I hapur për bashkëpunime të reja në film, teatër, televizion dhe projekte ndërkombëtare, Qëndrim Kçiku vazhdon të jetë një prej zërave më të kompletuar profesionalisht në skenën artistike kosovare.​/dita24h/

Shpërndaj me të tjerët