Hydajet Hyseni zë një vend të veçantë në historinë politike dhe kulturore të Kosovës.
Ai është një ndër figurat më të përkushtuara të rezistencës shqiptare, një personalitet që me veprimtarinë, mendimin dhe fjalën e tij ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhat e historisë sonë moderne.
Që në rininë e hershme, Hyseni u shqua si veprimtar i palëkundur i lëvizjes kombëtare. Ai është autor i qindra shkrimeve të botuara në shtypin e fshehtë, në një kohë kur fjala e lirë për Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve dënohej rëndë.
Përmes shkrimeve të tij, ai ushqeu ndërgjegjen kombëtare, mbolli shpresë dhe forcoi bindjen për liri e vetëvendosje.
Një moment kulmor në veprimtarinë e tij historike është kthimi nga Zvicra dhe fjalimi i mbajtur më 1 prill 1981 para demonstruesve.
Ai fjalim mbetet ndër ngjarjet më domethënëse të asaj kohe, sepse artikuloi qartë aspiratën politike të shqiptarëve të Kosovës dhe i dha drejtim të ri lëvizjes studentore e popullore.
Me guximin dhe vizionin e tij, Hydajet Hyseni ndihmoi në kthesën e madhe të historisë politike të Kosovës, duke hedhur farën e idesë së pavarësisë që më vonë do të bëhej realitet.
Ai ishte edhe i burgosur politik, duke paguar me liri personale çmimin e përkushtimit ndaj çështjes kombëtare.
Burgjet nuk e thyen, përkundrazi e forcuan edhe më shumë si mendimtar dhe si simbol i qëndresës.
Përveç veprimtarisë politike, Hydajet Hyseni është edhe krijues. Ai është autor i poemës së njohur “Pushka amanet”, një vepër që përçon mesazhe të thella për sakrificën, amanetin brez pas brezi dhe lidhjen e pandarë mes lirisë dhe përgjegjësisë kombëtare.
Në jetën institucionale, ai shërbeu si deputet në disa mandate, duke mbetur zë i arsyes, i bashkimit dhe i dialogut.
Njihet si njeri përbashkues, i afërt me të gjithë, i matur në fjalë dhe i qëndrueshëm në parime.
Hydajet Hyseni përfaqëson modelin e intelektualit veprimtar: njeri i mendimit, i penës dhe i veprimit.
Figura e tij mishëron lidhjen mes rezistencës ilegale, sakrificës personale dhe ndërtimit të institucioneve demokratike.
Ai mbetet një nga personalitetet e shquara që ndihmuan në mbjelljen dhe rritjen e idesë së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
SHTATË DEKADA KËSHTJELLË
(Kushtuar Hydajet Hysenit, botuar në përmbledhjen
me poezi, “Palca e gurit”)
Të kam parë si rreze dielli në Prishtinë
Kur shkëlqeve fort në errësirë,
Si i tunde malet, token e qiellin
Me gjoksin tënd si shkëmbi.
Dhe «Pushkën amanet» e le porosi,
Në vitet e gjata, të rënda si plumbi,
Qëndrove ilegal me këngën në gji.
Ti i dëgjoje me përbuzje argatët e zi
Si përdridheshin ata me kravata
Nga tribunat me fjalët plot lëvdata.
Në Pranverën Tetëdhjetë e Një
Sa fort shkele në histori
Hipur në bli, pa frikën në sy,
Si tribun, me fjalën për liri.
Hydajet, një epokë e re nisi me Ty,
Një faqe e lavdishme u bë histori,
Pastaj vitet e gjata nëpër burgje e tortura
Pa u thyer kurrë.
Për Atdhe e liri qëndrove i fortë si guri
Hije të ka fjala për liri e flamur;
Shtatë dekada mbete kështjellë e fortë,
O Burrë!
Shkruan: Ismet Rashiti
(Autori është veprimtar i kahershëm i çështjes kombëtare dhe publicist)
