Historia e fuqishme e të riut nga Zhegra: Rinor Haziri drejt avancimit në sektorin e sigurisë dhe trajnimet ushtarake ndërkombëtare
Rinor M. Haziri nga Zhegra e Gjilanit po ndërton një rrugëtim të veçantë profesional në sektorin e sigurisë, duke u përfshirë në trajnime dhe programe që lidhen me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes.
I riu nga familja Haziri ka përfunduar studimet në sektorin e sigurisë dhe emergjencave në Zvicër, ndërsa aktualisht është duke vazhduar avancimin profesional përmes trajnimeve të rregullta në një njësi të avancuar për ndërhyrje të shpejta, pjesë e strukturave që mbështesin bashkëpunimin dhe standardet e sigurisë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Historia personale e Rinorit lidhet edhe me një ngjarje të rëndë nga e kaluara. Gjatë vitit 1999, në Zhegrë, nga regjimi famëkeq i ushtrisë serbe, atij iu vranë dy gjyshërit në oborrin e shtëpisë nga njësi paramilitare serbe.
Kjo tragjedi familjare ka lënë gjurmë të thella në jetën e tij dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në rrugën që ai ka zgjedhur, angazhimin për siguri, mbrojtje dhe paqe.
Që nga mosha e hershme, Rinori kishte vendosur ta ndjekë këtë drejtim. Ai tregon se zgjedhja për sektorin e sigurisë ka ardhur si rezultat i bisedave familjare për luftën, sakrificën e popullit të Kosovës dhe temat atdhetare, të cilat kanë qenë pjesë e përditshmërisë së tij gjatë rritjes.
Nga fillimi i shkollës fillore, ai ka nisur të angazhohet në fusha të lidhura me sigurinë, duke filluar nga sektori i emergjencave dhe duke vazhduar me trajnimet ushtarake.
Sot, ende pa i mbushur 20 vjet, Rinor Haziri ka arritur të fillojë shkollimin dhe trajnimet në ushtri, duke e bërë çështjen e sigurisë prioritetin kryesor në jetën e tij profesionale.
Rrugëtimi i tij shihet si një shembull i përkushtimit të të rinjve kosovarë për të kontribuar në forcimin e institucioneve të sigurisë, në misionet paqeruajtëse dhe në rritjen e besueshmërisë së Kosovës në rajon dhe më gjerë.
Përmes përgatitjes profesionale dhe trajnimeve ndërkombëtare, të rinj si Rinor Haziri po dëshmojnë se janë të gatshëm të bëhen shtyllë e fortë e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.
